Disa orë pasi u vendosën në rrethojat e objektit të qeverisë së Kosovës, policia ka hequr qindra kollare që ishin vendosur nga shoqëria civile në shenjë pakënaqësie me rritjen e pagave për stafin e kryeministrit Ramush Haradinaj. Kravatat u sollën nga qytetarët si dhuratë për kryeministrin dhe stafin e tij.
Kravatat dhe këmishët u dedikuan për kryeministrin e vendit pasi që ai në një debat televiziv kishte thënë se ia ka rrit vetes pagën sepse “duhet të blejë kravata dhe këmisha”. Kjo deklaratë ngjalli reagime nga shoqëria civile e cila e konsideroi si veprim të pamatur të Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për dyfish më të lartë.