Në një postim dërguar albinfo.ch animatorja dhe mësuesja Sadete Bojaj Musliu nga Wettingeni na sjell pamje dhe përshkime nga një vizitë që “babadimri shqiptar” u ka bërë nxënësve që takohen në bibliotekë me animatoren në fjalë. “Kësaj here shprehëm dëshirën që nxënësve të bibliotekës t`u dhurojmë dhurata për festat e fundvitit dhe për Vitin e Ri 2018, thotë Sadetja. “Me këtë rast në mënyrë festive nga nxënësit dhe prindërit u këndua së bashku edhe kënga e Vitit të Ri.
Ndërsa befasia e këndshme për nxënësit ishte ardhja e Babadimrit shqiptar (Fatmir Musliu). Ai kishte sjellë me vete dhurata për më të vegjlit. Kjo u bë e mundur falë Gani Berishës i cili u tregua solidar dhe gëzoi pa masë nxënësit, duke u dhuruar dhuratat dhe duke ju dëshiruar suksese në mësime nxënësve kudo që ndodhen”.
Më tutje mësuesja dhe animatorja në fjalë thotë se është vërtet kënaqësi e madhe kur fëmijët e vegjël shqiptarë në Wettingen, së bashku me prindërit janë të rregullt në mësimin shqip, ku me vëmendje shumë të madhe, e dëgjojnë atë duke ju treguar përralla, anekdota, vjersha, këngë, punëdore etj.
Animatorja në fjalë punon edhe në mësimin plotësues si mësuese e gjuhës shqipe në Wettingen. Ajo thotë për albinfo.ch se aktivitetet me nxënës i ka pasion. Mësuesja Sadete ka ambicie për punën e saj, sepse përvojën shumëvjeçare në Prishtinë mundohet sadopak ta dëshmojë përmes punës me nxënës që bën në Wettingen.
Tash e 3 vite Shkolla Shqipe e Wettingenit rregullisht organizon programe të ndryshme me nxënës, për fund vit, përvjetorë, pikniqe nëpër kasolla dhe natyrë, Festën e Flamurit, Festën e Pavaresise, Ditën e Mësuesit dhe të Nënës dhe njëherësh për fundin e vitit shkollor.
“Falë përkrahjes së kryetarit të Këshillit të Prindërve me iniciativën e tij ne me nxënësit ishim edhe në kskursion në Kosovë në pushimin pranveror 1 javor, ku të gjitha ishin gratis. Tani do të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mali të zi që nxënësit shqiptarë të Zvicres të takohen më bashkëmoshatarët e tyre aty ku frymon shqip”, thotë mësuesja Sadete.






