Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci është zgjedhur sërish kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), në një post që e kishte mbajtur para se të inkuadrohet në politikë në vitin 2001. Daci u zgjodh kryetar i Akademisë në Kuvendim e ASHAK-ut, i cili sot ka mbajtur zgjedhjet e rregullta të udhëheqjes së re akademike.
Nënkryetar i kësaj akademie u zgjodh Jusuf Bajraktari ndërsa sekretar shkencor anëtarja korrespodente Myzafere Limani.
Kuvendi i Akademisë gjithashtu miratoi zgjedhjen e sekretarëve të seksioneve: Akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; anëtare korrespondente Justina Pula është zgjedhur sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore: anëtar korrespondent Fetah Podvorica është zgjedhur sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe anëtar korrespondent Luan Mulliqi është zgjedhur sekretar i Seksionit të Arteve.
ASHAK-un deri më tani ka drejtuar akademik Hivzi Islami.