Dy këshilltaret nacionale, Adèle Thorens, me prejardhje nga Lozana si dhe Regula Rytz, nga Berna, janë zgjedhur në Kongresin e Partisë për të udhëhequr Partinë e të Gjelbërve të Zvicrës në mandatin e ardhshëm dyvjeçar.
40-vjeçarja, Adèle Thorens njihet për pragmatizëm. Ajo vlerësohet nga mediet zvicerane si një figurë e nevojshme për një parti politike që është në pritje të ndryshimit karshi ngritjes së partisë konkurrente të të Gjelbërve liberalë.
Nga ana tjetër, Regula Rytz konsiderohet si një figurë e sigurt, pasi që në funksionin e saj të ekzekutivit në qytetin e Bernës, ajo është e treguar shumë e aftë në udhëheqjen e dosjeve dhe e cila lufton për kauzën ekologjike .
Gjatë kongresit të djeshëm janë zgjedhur po ashtu edhe katër nën-kryetarë të të gjelbërve : këshilltarët nacional Jo Lang nga Zug-u, Bastien Girod dhe Irène Kalin nga Cyrihu, si dhe këshilltari i dhomës së shteteve nga Gjeneva, Robert Kramer.
Kreu i ri i partisë, Adèle Thorens dhe Regula Rytz, kanë pasuar kryetarin e deritanishëm Ueli Leuenberger.
Ky i fundit, këshilltar nacional nga Gjeneva, konsiderohet po ashtu edhe mik i madh i shqiptarëve. Ai është themeluesi i Universitetit Popullor Shqiptar si dhe anëtar i Këshillit strategjik të albinfo.ch.
Në mesazhin për delegatët e kongresit, Ueli Leuenberger ka rikujtuar se Partinë e të Gjelbërve e presin shumë sfida, sidomos në lidhje me jo barazitë sociale si dhe ambienti,i cili, sipas tij, po degradohet ditë më shumë.