Përkundër apeleve nga qeveria shqiptare dhe ndërkombëtarët, shqiptarët nuk kanë reshtur të aplikojnë për azil në vendet kryesore të BE-së edhe gjatë muajve të fundit.
Në statistikat e publikuara nga zyra e re për azilkërkuesit në Bruksel, vetëm në muajin tetor ka pasur 2266 aplikime të reja nga shqiptarët, nga totali prej 61 mijë e 634 aplikime në total, raportojnë mediat shqiptare.
Në renditjen evropiane, Shqipëria zë vendin e shtatë pas Afganistanit, Sirisë, Irakut, Nigerisë, Pakistanit dhe Eritresë.
Pavarësisht kërkesave në rritje, është vetëm 3 përqind shkalla e pranimit të shqyrtimit të kërkesave për azil nga shqiptarët, përcjell albinfo.ch.
Sipas shefit të UNCHR në Tiranë, Pablo Zapata, janë edhe refugjatët sirianë dhe ata afrikanë në Greqi që i kanë sytë nga Shqipëria.
“Këtë vit 230 të huaj kanë kërkuar azil politik në Shqipëri nga 840 persona që kanë hyrë ilegalisht kryesisht nga kufiri me Greqinë. Shumica e kanë shfrytëzuar territorin shqiptar si mundësi për të kaluar në mënyrë të parregullt drejt vendeve të BE-së”, u shpreh ai.