Me rastin e festave të fundvitit, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, organizoi një pritje për Korin Diplomatik të akredituar në Kosovë, duke vendosur për herë të parë traditën e pritjes të Ambasasadorëve të akredituar në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Kryediplomati kosovar ka falënderuar diplomatët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.
“Ne kemi ulur në nivel zero konfliktualitetin ndëretnik. Ne gjatë vitit të kaluar treguam se i zgjidhim krizat politike me qetësi si çdo vend demokratik. Koha e përplasjeve të ashpra duket se mori fund”, ka thënë Pacolli.
Ai, më tej ka vazhduar prezantimin e tij, duke vlerësuar se, së bashku me krerët e Institucioneve të vendit kanë punuar në vazhdimësi për ta shndërruar Kosovën në një histori suksesi dhe duke i kontribuar sigurisë globale.
Pacolli po ashtu tha se procesi i integrimit ndërkombëtar të Kosovës mund të vonojë pak por, askush nuk mund ta ndalë atë, duke kërkuar për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB.