Pas vrasjes së pesë personave të etnitetit maqedonas në fshatin Smilkovë pranë Shkupit dhe protestave të banorëve lokalë për të shprehur revoltën ndaj aktit, situata në Maqedoni të shtunën paraqitet e qetë.
Viktimat janë identifikuar si: Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Açevski, Kire Trikovski dhe Borçe Stevkovski, ndërsa varrimi i tyre do të bëhet sot.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se po punon intensivisht në zbardhjen e rastit.
Sot janë zhbllokuar rrugët e Butelit e Radishanit që shpijnë në drejtim të vendbanimeve shqiptare , ndërkohë që në të gjitha viset e përziera etnike vërehet prani e shtuar e forcave policore.
Ndërkaq, zyrat e të gjitha përfaqësive diplomatike në Maqedoni e kanë dënuar rastin duke kërkuar nga institucionet e vendit që të gjenden sa më parë ekzekutorët dhe të vihen para organeve të drejtësisë.
Pas Ambsadës Amerikane edhe Bashkimi Evropian gjithashtu ka shprehur shqetësime dhe ngushëllime lidhur me vrasjen e pesëfishtë në periferi të Shkupit.
Nga kjo zyrë informojnë se shefi i misionit, ambasadori Aivo Orav është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e Shkupit. Edhe OSBE në Maqedoni ka ftuar autoritetet në Maqedoni që të kryejnë hetim të shpejtë për vrasjen e pesëfishtë në rrethinën e Shkupit, duke shpresuar se kryerësit e kësaj vepre famëkeqe do të nxirren para ligjit, transmeton ReL.