Të krishterët katolikë në Kosovë festojnë Ditën e Pashkëve. Ceremonia kryesore do të mbahet në orën 21:00 në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, e cila do të drejtohet nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Telegrame urimi me rastin e Pashkëve kanë dërguar Presidentja, Atifete Jahjahga, Kryeministri, Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.
Të krishterët katolikë ndezën qirinjtë e lutjeve në të shtunën e shenjtë të Pashkëve në qytetin e vjetër të Jeruzalemit në Kishën e Varrit të Shenjtë. Një ditë para pashkëve, mijëra besimtarë katolikë mbushën kishën e lashtë që besohet se është ndritur në vendin ku Krishti u varros për t’u ringjallur më pas.
Java e Pashkëve shënon kulmin pas një sërë ceremonish fetare të mbajtura gjatë javës e që kanë tërhequr në tokën e shenjtë pelegrinë katolik nga e gjithë bota.
Në Vatikan, Papa Benedikti, ka bërë thirrje për këmbëngulje e sfidë përballë një krize ekonomike që ka shkaktuar vështirësi dhe papunësi në rritje në të gjithë Evropën.
Festa e Pashkëve është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.