Departamenti për Krime të Rënda nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar katër të akuzuar për grabitje të rëndë me 57 vjet e 10 muaj burg. I akuzuari SH.C. është dënuar me 15 vjet burg për veprën penale vjedhje grabitqare, L.B. është dënuar me 17 vjet e 6 muaj për veprat penale vjedhje grabitqare, mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
I akuzuari i tretë L.S. është dënuar me 20 vjet e 6 muaj për veprat penale vjedhje grabitqare në bashkëveprim dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, ndërsa A.R. është dënuar me 4 vjet e 10 muaj për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vjedhjes grabitqare.
“Të akuzuarve SH.C, L.B dhe L.S me aktvendim të veçantë iu është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara dhe koha e kaluar në paraburgim do t’ju llogaritet në dënimin e shqiptuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Të akuzuarit, sipas vendimit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, paraprakisht kishin arritur marrëveshje gojore për të vjedhur.
Ata më datë 30.03.2015 në qendrën tregtare “Albi Mall” në Prishtinë, kishin hyrë në objekt të maskuar dhe në lokalin “Don Caffe” kanë marrë arkën dhe pastaj kanë vërejtur se tani i ndjeri N.R. është afruar afër kafenesë. I akuzuari L.S. me këtë rast ka shtënë ndaj tij me armë zjarri disa herë duke e lënë të vdekur.
Ky konsiderohet dënimi më i rëndë për vjedhje me pasja vdekje në Kosovë.