Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës ka hedhur poshtë një mocion të Komisionit politik të Dhomës së kantoneve. Mocioni kërkonte bërjen publike të burimeve financiare të shfrytëzuara nga partitë për fushatat e tyre zgjedhore.
Duke votuar me 97 vota kundër dhe 72 pro, parlamenti ka miratuar qëndrimin e Qeverisë së Zvicrës. Kjo e fundit mendon se, duke ditur se në Zvicër organizohen shumë votime dhe referendume, është vështirë e realizueshme të sigurohet transparenca. Veç kësaj, ekziston droja se, duke e bërë të detyrueshëm publikimin e burimeve financiare, do të reduktohet gatishmëria për financim.
Ndërkaq, pala që ka mbetur në pakicë, kishte kërkuar më tepër transparencë në ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë. Ajo kishte propozuar që dhuratat (financimet) mbi 10.000 franga të paraqiten në Zyrën Federale.