Falë punës së “Terre des Hommes”, fëmijët në nevojë, që jetojnë në institucionin rezidencial (në entin e Tiranës për strehim të tyre), kanë krijuar një ekip futbolli i cili është njohur zyrtarisht dhe është anëtarësuar në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ekipi i institucionit rezidencial “Zuber Hallulli” ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet zyrtare të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit në kategorinë e të rinjve. “Duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të organizuara nga federata, fëmijët e strehuar këtu do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë dhe bashkëveprojnë me fëmijët tjerë”, thotë drejtori i “Zuber Hallullit”, duke iu referuar gjithnjë dimensionit social të futbollit.
Ideja për të pasur një ekip futbolli, ka ardhur drejtpërdrejtë nga fëmijët: me rastin e vlerësimit të nevojave të tyre, të kryer nga fondacioni zviceran, 16 nga fëmijët u deklaruan se loja e futbollit ishte ëndrra e tyre. “Terre des Hommes” pastaj ka krijuar ekipin, ka kontraktuar si trajner një ish futbollist dhe i është drejtuar Federatës së Futbollit Shqiptar për bashkëpunim dhe mbështetje.
Me rastin e kremtimit të themelimit, më 29 shkurt, në praninë e medieve lokale dhe kombëtare, Federata Shqiptare e Futbollit ka njohur përpjekjet e vazhdueshme të Terre des hommes për të mundësuar zhvillimin e shëndetshëm dhe mirëqenien fëmijëve që jetojnë në institucionet rezidenciale.
Tani, dy organizatat e përmendura kanë rënë në ujdi për të zhvilluar partneritet edhe në të ardhmen, sa i përket organizimit të ngjarjeve sportive, nga të cilat do të përfitojnë fëmijët e Shqipërisë.
Tash e tutje, stafi i projektit Terre des hommes “MOVE” do të organizojë një numër aktivitetesh sportive dhe lojërash në gjithë Shqipërinë, në partneritet me FSHF. Në këto aktivitete do të përfshijë edhe fëmijët e strehuar në institucionet rezidenciale si dhe fëmijët tjerë në nevojë.
Projekti MOVE, i mbështetur bujarisht nga UEFA, synon të përmirësojë mirëqenien e fëmijëve të pambrojtur dhe që, përmes lojërave dhe marrjes me sport, të ndihmojë në parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve.