Rreth 42 kompani me kapital të huaj janë regjistruar sivjet në zyrën e Regjistrimit të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.
Numri i bizneseve me kapital të huaj që regjistrohen në Kosovë vazhdon të jetë i lartë, por numri i atyre që vendosin të investojnë në vendin tonë vazhdon të bjerë dita-ditës.
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë i kanë të gjitha të dhënat rreth kompanive të huaja, përveç shumës së mjeteve që ata kanë investuar sivjet në vendin tonë.
Arta Istrefi , këshilltare për media e ministres së Tregtisë Mimoza Kusari – Lila, thotë se investimet më të mëdha vijnë nga Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra, Maqedonia, Austria dhe Sllovenia, shkruan gazeta Zëri.
Sipas saj, kompanitë e regjistruara në Kosovë sipas veprimtarisë së paraqitur në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, interesim më të madh kanë treguar te sektori i ndërtimtarisë, prodhimit dhe shërbimeve.