Shumë të rinj që kishin emigruar ilegalisht në Gjermani më 2014 dhe 2015, janë kthyer në Kosovë dhe po hapin biznese me ndihmën e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Një shembull i mirë është i riu Besnik Mehana, i cili pasi kaloi 7 muaj e gjysmë si emigrant në një kamp në Passau të Gjermanisë, dhe është kthyer në Liqej, fshatin e tij afër qytetit të Vushtrrisë, shkruan ‘vushtrriapress’.
Me një grant të vogël prej Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) zyra në Kosovë, Besniku ka ndërtuar serën e tij “Fidanishtja Besi” në të cilën kultivon domate, speca, spinaq, karrota dhe qepë të cilat pastaj shiten në tregun e Vushtrrisë, përcjell albinfo.ch.
Bujqësia është bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së Besnikut, pasi që ia siguron një burim të madh të të ardhurave të nevojshme për të mbajtur një familje prej tetë anëtarësh.
Ai tashmë është i lumtur që është kthyer në vendlindje, ka hapur biznes dhe po arrin të mbajë familjen e tij.
