Në Qendrën e Numërimeve dhe të Rezultateve është duke vazhduar pranimi i materialit të ndjeshëm zgjedhor nga komunat e Kosovës. Deri më tani, ky material i ndjeshëm zgjedhor është pranuar nga një numër i madh i komunave dhe procesi është duke vijuar normalisht.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se koha se kur do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave është e përcaktuar me ligj dhe se, sipas ligjit, i bie të mbahet katër javë pas ditës së rundit të parë apo më 19 nëntor.
Sipas tij, në QNR do të bëhet skanimi i listës së votuesve dhe pas kësaj do të fillohet me një proces tjetër, siç është numërimi i votave me kusht, votave të cilat kanë ardhur përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ai ka thënë se shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet sa më shpejt.