Task Forca Kosovare për Kontroll të Kancerit, përmes një aktiviteti të zhvilluar në Prizren ka shënuar muajin botëror për luftë kundër kancerit të gjirit. Duke e zhvilluar konceptin e “Rolit të artit në rehabilitimin e pacientëve me kancer” Task forca ka bërë të mundur që një numër i vullnetarëve, paciente që tashmë e kanë mundur këtë sëmundje të takohen në Prizren.
“Duke konsideruar faktin që karcinoma e gjirit është karcinoma më shpesh e diagnosikuar tek femrat si dhe shkaktari i dytë i vdekjes tek femrat, TKKK kishte për qëllim që përmes kësaj fushate t’u mundësojë të mbijetuarve një formë të socializimit.
Nga ana tjetër, bazuar në të dhënat ndërkombëtare, çdo 2 minuta një femër diagnostikohet me karcinomë të gjirit dhe çdo 13 minuta një grua vdes nga kjo sëmundje, shifra këto alarmante që e obligojnë rritjen e vetëdijesimit qytetar edhe përmes fushatave si kjo e sotmja”, thuhet në njoftim.