Marrëveshja për koalicion në balotazh ndërmjet Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, ku të dy partitë do të mbështesin njëra-tjetrën në rrethin e dytë zgjedhor më 29 tetor kundër BDI-së, ka shkaktuar tronditje të thellë në partinë që e drejton Ali Ahmeti.
Sipas një burimi brenda BDI-së, mësohet se kacafytjet kanë arritur pikën e vlimit, e ku si fajtor kryesor i situatës së krijuar përmenden inatet personale dhe imponimi i Ramiz Merkos për të kandiduar për qytetin e Strugës, përkundër mospajtimit dhe kundërshtimit të shumicës së anëtarëve të kryesisë së BDI-së.
Sipas të dhënave që i solli i njëjti burim, mësohet se katër deputetë brenda BDI-së tanimë janë rebeluar dhe presin epilogun e zgjedhjeve dhe janë të gatshëm të kalojnë në anën e koalicionit të sapo formuar “Aleancës me Besë” dhe sipas të gjitha gjasave menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve pritet riformatimi i qeverisë në Shkup, raporton lajmi.
Nëse këta katër deputetë të BDI-s largohen nga Zaev, atëherë në vend të tyre pjesë e qeverisë do të jetë edhe Lëvizja Besa, si pjesë e përbashkët e koalicionit të ri.
Ndryshe, ditë më parë, Aleanca për Shqiptarët e përfaqësuar nga Zijadin Sela dhe Lëvizja BESA e përfaqësuar nga Bilall Kasami kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazh, duke i dhenë njëra-tjetrës mbështetje në raundin e dytë zgjedhor.
“Duke u nisur nga vullneti i lirë për të respektuar kërkesën e popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe duke e dëgjuar kërkesën e opinionit vullnetmirë në vend, partitë politike shqiptare: Zotohemi se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni do të bashkëpunojmë në interes të votuesit shqiptar në Maqedoni, duke i ofruar koalicion që e mundëson fuqizimin dhe maksimalizimin e votës shqiptare, por edhe që e pengon mundësinë që të tjerët t’i përcaktojnë fituesit e komunave shqiptare”, thuhet në Marrëveshje.