Dhjetë operatorët turistikë japonezë dhe disa përfaqësues të medias japoneze vizituan Shqipërinë gjatë fundjavës për t’u njohur me vlerat turistike, kulturore, historike dhe kulinare të vendit tonë.
Udhëtimi familjarizues i operatorëve turistik dhe përfaqësuesve të medias japoneze u organizua nga “Agjencia Kombëtare e Turizmit”, në bashkëpunim me zyrën e Kooperacionit Japonez “JICA”.
Ky udhëtim u bë i mundur në vijim të pjesëmarrjes për të dytin vit radhazi në panairin “JATA EXPO Tokyo 2017”, të “AKT”-së, si pjesë e programit të bashkëpunimit me “JICA”, ambasadën tonë në Japoni dhe vendet e tjera të Rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnja e Mali i Zi.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit të grupit japonez në vendin tonë AKT organizoi gjithashtu një workshop në ambientet e “Hotel Tirana International”, ku pjesëmarrës ishin dhe shumë prej operatorëve më të mirë shqiptarë, të cilët operojnë me vende të ndryshme të Evropës të interesuar gjithashtu të rrisin numrin e “incoming” edhe me tregun japonez.
Gjatë mbrëmjes grupi japonez pati mundësinë të degustojë dhe gatimet tradicionale të vendit tonë pranë një prej restoranteve ‘Sloë Food” të kryeqytetit, ku i pranishëm ishte dhe Ambasadori i Japonisë në Shqipëri.
Kuzhina shqiptare u vlerësua shumë nga të pranishmit dhe u cilësua si një vlerë e fortë promovuese që e bën akoma më tërheqës produktin turistik që ofrohet nga operatorët e ndryshëm shqiptar.