Presidentja Atifete Jahjaga është e vendosur që t’i tregojë opinionit se mund t’i realizojë premtimet e saj.
Zyra e saj tashmë iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe atyre qeveritare që të mblidhen më 15 shkurt në Presidencë, për t’ia dhënë vulën e themelimit Këshillit Antikorrupsion, ka konfirmuar Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, shkruajnë mediat e Prishtinës.
Kryesuesi i KGJK-së, ndër të tjera bëri të ditur se përveç tij janë ftuar edhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe ato qeveritare.
Mbledhjen e parë konstituive e Këshillit Antikorrupsion në krye me Presidenten Atifete Jahjaga, ditë më parë e kishte paralajmëruar edhe Këshilltarja ligjore e Presidentes, Ariana Qosaj-Mustafa.