Kosova ka nevojë për një kombinim të prodhimit të energjisë elektrike, nga termocentralet dhe burimet e energjisë së përsëritshme, thuhet në një raport të Bankës Botërore, i publikuar në Prishtinë.
Edhe pse opsioni i linjitit është më i lirë, kombinimi i prodhimit të energjisë nga linjiti dhe formave tjera alternative shihet si opsioni më i mirë nga ekspertët e Bankës Botërore.
“Kosova ka nevojë për një kombinim të opsioneve të furnizimit, edhe termocentralet edhe burimet e energjisë së përsëritshme dhe jo vetëm për një opsion të vetëm”, ka deklaruar eksperti i Bankës Botërore Mohinder Gulati.
Kurse, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja, përveç mundësisë në prodhimin nga linjiti Kosova është e intersuar që t’i marrë të gjitha masat që të zhvilloj edhe alternativat e tjera të energjisë së përsëritshme, që janë parakusht themelor edhe i BE-së, por edhe i BB-së.
Diskutimet për mënyrat e prodhimit të energjisë elektrike do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, ka paralajmëruar Beqaj, duke paralajmëruar se në këto diskutime do të përfshihet edhe shoqëria civile.