Për shkak të shtimit të rrezikut nga terrorizmi, Bashkimi Evropian kohë më parë ka vendosur të ashpërsojë ligjin për armëmbajtje. Zvicra, si shtet që bën pjesë në Zonën Schengen është e detyruar t`i bashkohet ashpërsimit në fjalë. Një propozim që Këshilli Federal i ka dorëzuar sot parlamentit për shqyrtim, ka shfrytëzuar hapësirën e lejuar të veprimit në raport me ligjin e BE-së.
Në këtë mënyrë, duke e propozuar një zgjidhje të mesme ose “light” për armëmbajtjen qeveria e vendit ka dashur të respektojë traditën e mbajtjes së armës në Zvicër. Por edhe si i tillë, propozimi është shoqëruar me kritika nga qarqet e shenjëtarëve.
Ndër rregullat që qeveria i ka propozuar duke e shfrytëzuar hapësirën e lirë të veprimit ka qenë ajo që e rregullon armëmbajtjen për ish ushtarët. Kështu, personat që kanë mbaruar shërbimin ushtarak, sipas rregullores së BE-së mund të mbajnë armë vetëm nëse inkuadrohen në ndonjë klub shenjëtarësh. Dhe vetëm atëherë, ata do të kishin të drejtë të bartnin një karikator prej 20 plumbash.