Skip to content

Kosova ka resurse të rëndësishme

Zv.kryeministri dhe ministri bavarez martin Zeil tha se tashmë 110 kompani bavareze veprojnë në Kosovë

 

Presidentja Atifete Jahjaga ka takuar zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Ekonomisë, Infrastrukturës, Komunikacionit dhe Teknologjisë në Bavari, Martin Zeil.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe lidhur me mundësitë e bashkëpunimit mes Landit të Bavarisë, ndër pjesët më të përparuara ekonomikisht, dhe Kosovës, me theks të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.

Jahjaga ka theksuar se Kosova ka resurse të rëndësishme që janë atraktive për investitorët: potencial të pasur njerëzor, të përgatitur për të qenë konkurrentë në ekonominë globale, dhe normat e tatimeve ndër më të ulëtat në Evropë, parakushte këto të rëndësishme për bizneset e huaja që të hapin degët e tyre në Kosovë.

“Vendi ynë është përcaktuar për një ekonomi të tregut dhe për ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë investitorët”, ka deklaruar presidentja, e cila gjithashtu e njoftoi Zeilin lidhur me situatën politike dhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.

Martin Zeil, nga ana e tij, u zotua për identifikimin e fushave të bashkëpunimit, duke përmendur se tashmë 110 kompani bavareze veprojnë në Kosovë.