Sot ka filluar punëtoria dyditore e organizuar nga TAIEX dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me temën “Menaxhimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.
Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, me këtë rast ka paralajmëruar hetim të pasurisë së zyrtarëve publikë, raporton Ekonomia Online.
“Në fillim të punës time kam filluar për planifikim ndryshimet, për ligjin i cili ndëshkon krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
“Do të krijojmë mekanizma efikas, do të krijojmë politika, të cilat do të mundësojnë që ajo pasuri kudo qoftë, qoftë te zyrtarë, qoftë te bizneset, që është e pajustifikueshme, t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai
Ndërsa asistenti ligjor në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Mihalchuk, ka thënë se konfiskimi nuk është i përmendur në marrëveshjen e MSA-së sepse është zëvendësuar me diçka tjetër.
Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës do të kenë mbështetjen e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar përmes EULEX-it.