Raporte nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tregojnë se gjatë vjetëve të kaluara, në disa rajone të Kosovës, breshri ka dëmtuar kulturat bujqësore në një shkallë të konsiderueshme, posaçërisht në periudhën e vegjetacionit të bimëve.
Për këtë dukuri natyrore bujqit shpeshëherë ishin ankuar dhe kishin kërkuar ndihmë nga shteti.
Për të zvogëluar dëmet e konsiderueshme që po shkakton breshri çdo vit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka vënë si prioritet realizimin e sistemit për mbrojtje nga dëmet e shkaktuara nga kjo dukuri atmosferike, raportojnë mediat e Kosovës.
Projekti përfshin aktivizimin e sistemit të raketave që bëjnë shpërndarjen e reve me breshër. Sipas ministrit, Blerand Stavilecit, ky projekt do të ndikojë dukshëm në parandalimin e dëmeve “Ne mendojmë se kjo do të ndikojë mirë në mënyrë që fermerët t`i parandalojnë dëmet që sjell breshëri”, ka thënë ministri Stavileci për mediat e Prishtinës.
Para 1999-së, në Kosovë kanë funksionuar 110 pika lansuese të raketave për mbrojtje kundër breshrit. Funksionimi i këtij rrjeti ishte mjaft efikas.
Në kohën e vendosjes së masave të dhunshme nga regjimi serb i Sllobodan Millosehviqit sistemi për mbrojtje nga breshëri ishte dëmtuar dhe që atëherë ai është jashtë funksionit.