Policia e Kosovës me anë të komunikate ka bërë të ditur se dy persona janë plagosur nga një plumb në Prizren, që dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht.
“Rreth orës 20:20 minuta, në rrugën ‘Vëllezërit Dehiri’, një i dyshuar me gjasë aksidentalisht e ka shkrehur një plumb nga pistoleta me ç’rast e ka plagosur vetën në gishtin e dorës së majtë e më pas edhe shokun e tij në dorën e djathtë”, thuhet në raportin e Policisë, përcjell albinfo.ch.
Për trajtimin e lëndimeve është përkujdesur Emergjenca e Spitalit Rajonal në Prizren. Policia ka kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe e ka sekuestruar një pistoletë të llojit “Waltro” e kalibrit 9 mm.
Policia e Kosovës më tutje ka njoftuar se lidhur me rastin është kryer edhe një bastisje e një shtëpie, por nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.