Skip to content

BE: Rikthehen preferencat tregtare për Kosovën

Viti 2012 do të fillon mbarë për prodhuesit kosovarë për shkakun se mund ti eksportojnë mallrat e tyre pa doganë në cilindo vend të Evropës

Më 30 dhjetor është marrë vendim që Kosovës t’i kthehen preferencat tregtare të cilat ishin pezulluar një vit më parë.

“Ky është vendim i rëndësishëm për bizneset kosovare të cilat eksportojnë në BE”,  ka deklaruar Khaldoun Sinno, ushtrues Detyre i Kryesuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, raportojnë mediet në Prishtinë.

Ripërtëritja e preferencave tregtare sipas tij, do t’ju mundësojë bizneseve një qasje shumë më të lehtë në tregjet e BE-së dhe pritet që të çojnë përpara eksportin e Kosovës në këto vende.

Masat tregtare autonome aplikohen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe sigurojnë qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat me origjinë nga rajoni.

Në vitin 2000, Bashkimi Evropian për herë të parë krijoi një qasje të veçantë të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova).

Në vitin 2010, vlera totale e eksportit të Kosovës në BE kishte arritur shumën prej 147 milionë euro.