Mediet në Shqipëri njoftojnë se Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 28 persona të akuzuar për përfshirjen në një rrjet të gjerë prostitucioni. Në mesin e tyre ka edhe pjesëtarë të policisë.
Sipas prokurorisë ata vepronin të organizuar në zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar.
“Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, i nisur në bazë të informacionit policor, si dhe i kryer me veprime konkrete policore në terren, ka zbuluar se një pronar hoteli, disa taksistë, një inspektor policie, si dhe disa vajza, bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të siguruar “klientelë” për vajzat që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit.
Pagesa për çdo “shërbim seksual” varionte në shifrat 50-200 euro për orë”, theksohet në njoftim.
Prokuroria njofton se ka identifikuar këta persona në bazë të tri ngjarjeve që kanë ndodhur, ku personazhet e këtij aktiviteti lidheshin me njëri-tjetrin.