Pas dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit në javën e shkuar, Mikullovci sot u dërgoi ftesë deputetëve për vazhdimin e seancës për të enjten me fillim në orën 10:00.
PAN thotë se me këtë vendim, Mikullovci është vënë në shërbim të plotë të partisë së tij, Vetëvendosje. Ky koalicion akuzon Vetëvendosjen për bllokadë në Kuvend. PAN thotë se qëndrimi i koalicionit për seancën konstituive do të zyrtarizohet pas takimit konsultativ të mërkurën me subjektet politike.
“Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës të enjten është arbitrar. Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte. Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi i seancës konstituive është vënë në shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare”, thuhet në reagim. “Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00”, thuhet në vazhdim.
PAN ka kërkuar që të votohen Kadri Veseli për kryeparlamentar dhe Ramush Haradinaj për kryeministër, pasi “këto procese janë të pandalshme”.