Tefik Bajrami, i njohur si “Uragani shqiptar”, boksieri i mirënjohur që u shpall kampion bote më 1 prill për versionin WBU (World Boxing Union) në Zvicër, do të ketë ndeshjen e radhës për titullin vakant të botës në versionin WBF (World Boxing Federation). Organizator i kësaj ngjarjeje do të jetë Klubi i Boksit Llapi, i themeluar nga kampioni, Tefik Bajrami.
Ndeshja e madhe e boksit do të mbahet në kryeqendrën kosovare, në Pallatin e rinisë dhe sporteve, në Prishtinë.
Tefik Bajrami (13 ndeshje, 12 fitore) do te zhvillojë kështu ndeshjen e 14-të në boksin profesionist në kategorinë Kruizer, deri 90.7 kg.
Kundërshtari do të bëhet publik këtë javë.
Vlen te theksohet se kjo do të jetë ndeshja e parë për kampion bote në boksin profesionist që do të mbahet në Republikën e Kosovës.
Bajrami ka qenë kampion Evrope ne Karate dhe kampion bote në tajboks, për të kaluar pastaj në boks, ku u shpall kampion i Zvicrës, i Evropës dhe së fundi, i Botës, më 1 prill 2017.