Bizneset e Kosovës u përballën me reflektimin e krizës ekonomike nga vendet e jashtme dhe mungesën e parasë së gatshme gjatë vitit 2011. Këta dy indikatorë që nga përfaqësuesit e bizneseve vlerësohen si negativë për ekonominë e vendit, kanë qenë të ndihmuar edhe nga mungesa e përkrahjes institucionale dhe politikave zhvillimore qeveritare ndaj sektorit privat, shkruan Koha Ditore.
Duke u nisur nga plani i vizionit të zhvillimit ekonomik i hartuar në pranverë në Bullgari, nga kabineti qeveritar sektori privat është konsideruar si gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike të vendit.
Sipas kësaj gazete, barrën kryesore të rritjes së shënuar ekonomike, që sipas Qeverisë kalon mbi 5 për qind në periudhën vjetore, e kanë bartur investimet publike të bëra kryesisht në infrastrukturë.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit vlerësojnë se Qeveria nuk ka bërë asgjë sa i përket lehtësimit të operimit dhe heqjes së barrierave për sektorin privat.
Lekë Musa, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka theksuar se në asnjë moment gjatë tërë vitit nuk është punuar në përmirësimin real të klimës biznesore.