Një zjarr që ka shpërthyer në qendrën e strehimit të azilkërkuesve “Tattes” në Vernier të Gjenevës ka pasur për pasojë lëndimin e 11 banorëve të qendrës, prej të cilëve katër kanë marrë lëndime të rënda.
Zjarri ka shpërthyer në orët e pasdites, në katin përdhes dhe prej aty ai është shpërndarë edhe në katin e parë.
Banorët e ndërtesës trekatëshe janë evakuuar, mirëpo pesë prej tyre nga paniku kanë kërcyer nga dritaret e katit të dytë, me ç`rast kanë pësuar lëndime.
Shkaktari i zjarrit nuk dihet ende. Qendra e strehimit përbëhet nga 11 ndërtesa të ndryshme dhe ka kapacitet për 300 veta.
Në prill të këtij viti po në këtë qendër kishte shpërthyer një zjarr, me ç`rast ishin dëmtuar pesë lokale të saj.