Kosova ka marrë kredi prej 34 milionë euro nga Banka Botërore për 20 vite, me 5 vite me greis periudhë dhe me normë të interesit prej 0.44 % për dy fusha.
Marrëveshjet i nënshkruan ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marko Mantovanelli.
Marrëveshja e parë do t`i mundësojë Kosovës financimin e projektit të konkurueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport, ndërsa e dyta është për financimin e granteve për bujqësi, përfshirë edhe rehabilitimin e kanaleve në skemat e ujitjes Radoniqi dhe Dukagjini, raporton albinfo.ch.
Drejtori i BB-së, Marko Mantovanelli tha se nga këto dy marrëveshje do të hapet mundësia për vende të reja të punës. “Financimi për këto projekte është pjesë e strategjisë së Grupit të Bankës Botërore që synon t’i ndihmojë Kosovës në lëvizjen drejt një rritjeje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar kah eksporti, ashtu që qytetarët e saj të kenë më shumë mundësi për një jetë më të mirë”, tha Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli.