Rritja në vazhdimësi e numrit të azilkërkuesve ka shtyrë komunat dhe kantonet për të kërkuar vende plotësuese për strehimin e tyre. Me gjithë faktin se gjatë muajve të fundit janë krijuar 2000 vende të reja për strehimin e azilkërkuesve, ky numër edhe më tutje nuk mjafton për kërkesat e mëdha në këtë drejtim.
Kantonet dhe komunat kanë aktualisht në dispozicion më shumë se 24.000 vende. Ndërsa përveç tyre janë edhe 1800 vende të tjera në qendrat e pranimit të federatës.
Numri i azilkërkuesve të paraqitur gjatë vitit 2011 është dukshëm më i madh se sa në vitin 2010. Deri në fund të nëntorit ishin regjistruar 20.016 kërkesa për azil, që është për një të tretën më shumë se gjatë gjithë vitit 2010.