Pavarësisht se Aleanca Veri- atlantike ka intensifikuar luftimet kundër grupeve terroriste ndaj të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri e Irak, në vatrat e luftës ende qëndrojnë dhjetëra gra, fëmijë e xhihadistë nga Kosova. Sipas statistikave që janë publikuar sot, në ISIS ende janë 44 gra nga Kosova me 37 fëmijë.
Kjo shifër u bë e ditur në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temë për fuqizimin e rolit të gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Sipas këtyre të dhënave Kosova, radhitet e dyta ne Ballkan pas Bosnjës dhe Hercegovinës, shtet ky që ka 60 gra të përfshira në këto luftëra.
Ndryshe, sipas Policisë së Kosovës, më shumë se 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon. Ata kryesisht janë rreshtuar në krah të organizatave terroriste, siç janë: i ashtuquajturi Shteti Islamik – ISIS dhe Al-Nusra.
Por, për shkak të mungesës së informacioneve zyrtare, autoritetet e sigurisë në Kosovë nuk kanë shifra të sakta rreth numrit të saktë të personave të vrarë në vatrat e luftës në Siri e Irak. Ndërkaq, një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që disa të tjerë ende po përballen me drejtësinë.