Serbia nuk mund të shpresojë për statusin e kandidatit para muajit mars të vitit 2012. Presidenti i BE-së Herman van Rompuy pas përfundimit të samitit të BE-së konfirmoi se Serbisë nuk i jepet statusi i kandidatit për BE, respektivisht ky status shtyhet përfundimisht për vitin tjetër, njofton agjencia gjermane dpa.
Ka qenë këmbëngulja e Gjermanisë, Austrisë e Britanisë së Madhe, ajo që ka sjellë mospranimin e Serbisë. Shtete në fjalë kanë vënë kushte që Serbia duhet t`i plotësojë në raport me Kosovën, deri në mars të vitit të ardhshëm.
Kryetari i Këshillit të BE-së Van Rompuy ka lavdëruar Beogradin për rifillimin e dialogut me Qeverinë e Kosovës, pavarësinë e të cilës vazhdon të mos e njohë. “Ne mundemi vetëm të inkurajojmë Serbinë të zhvillojë më tutje këtë dialog dhe marrëdhëniet me Prishtinën në interes të vetin. BE ka para vetes “synimin e qartëpër t`ia njohur Serbisë statusin e kandidatit”.
Por, sipas deklaratës së samitit të Brukselit, para vendimit përfundimtar në mars 2012, Këshilli i Ministrave i BE-së do ta bëjë edhe një raport, ku do të vërtetojë nëse Serbia ka bërë përparimet e duhura. “Provimet” të cilat duhet t`i japë Serbia për të kaluar mirë në këtë raport mbetet mbi të gjitha, zbatimi i marrëveshjes me Kosovën për Menagjimin e Integruar të kufijve në mes të dy shteteve”, përfundon dpa.