Për ta zëvendësuar këshilltarin federal, Didier Burkhalter, i cili dha dorëheqje muajin e kaluar, përmenden emri i tiçinezit, Ignazio Cassis, apo të kandidateve Laura Sadis, Isabelle Moret (VD) ose të Pierre Maudet (GE).
Mirëpo, asnjëra apo asnjeri nga ata nuk i përmbush kriteret e kandidatit ideal për këshilltar federal në Zvicër. Nëse jeni burrë, 51 vjeçar dhe jeni anëtar i Dhomës së Shteteve, i keni gjasat më të mira për t’u zgjidhur Këshilltar federal. Së paku kështu tregojnë statistikat, njofton albinfo.ch.
Sa i përket grave Këshilltare federale, e para prej tyre që ishte përzgjedhur në këtë funksion ishte Elisabeth Kopp, në vitin 1984 ose 13 vjet pasi gratë fituan të drejtën e votimit në Zvicër.
Nga shtatë gratë që janë zgjedhur deri më tani këshilltare, dy nga ata, E. Kopp dhe Ruth Metzler, kanë qenë të obliguara të japin dorëheqje. E para pas një skandali që e përfshinte burrin e saj dhe e dyta, pasi që SVP-UDC u imponua si partia më e madhe në Zvicër dhe kërkonte postin e dytë ministror në Këshillin federal.
Këshilltari federal më i ri është zgjedhur Numa Droz, 31 vjeçar, kurse më i moshuari ishte gjenevasi Gustave Ador, në moshën 71 vjeçare. Nga viti 2010, mosha mesatare e ministrave është 50 vjeçare, kurse në shekullin XIX, mosha mesatare ka qenë shumë më e re, raporton albinfo.ch.
Nga 116 ministrat e zgjedhur deri më tani, 73 kanë qenë gjermanofolës, 35 frankofonë, 7 italianofolës dhe 1 romanche. Tani, tiçinezët janë të mendimit se tani është radha a tyre për të zgjedhur një këshilltar federal, ngase po bëhen 18 vite që nuk kanë pasur anëtar të tyre në ekzekutivin zviceran.
Sipas statistikave federale, ministri aktual i Kantonit të Gjenevës, Pierre Maudet si dhe tiçinezja, Laura Sadis, e kanë të vështirë të zgjidhen. I pari nuk ka qenë kurrë i zgjedhur në njërën nga dhomat e Bernës dhe e dyta ka qenë vetëm një herë parlamentare, në Këshillin Nacional. Pra, që një kandidat është më larg nga Dhoma e Shteteve, aq edhe më shumë largohen perspektivat për t’u zgjedhur ministër.
Këshilltarët e Dhomës së Shteteve mbështesin njëri tjetrin në rrugëtimin për në ekzekutivin e Bernës federale informonalbinfo.ch. Një kandidat ka dy herë më shumë gjasa të zgjidhet nëse ka të kaluar në Dhomën e shteteve se në Këshillin nacional.
Mirëpo, ka edhe përjashtime nga kjo rregull ngase 13 këshilltarë federalë nuk e kanë pasur atë të kaluar federale, por kantonale, sikurse ishin këshilltarja shtetërore nga Grizoni, Evelyne Widmer Schlumpf, gjenevaset Micheline Calmy-Rey dhe Ruth Dreifuss, si dhe politikania nga Appenzelli Ruth Metzler. Ka po ashtu edhe të tillë që janë zgjedhur ministra pa qenë asnjëherë në funksione politike, sikurse ishte rasti i ambasadorit Robert Haab në vitin 1917 si dhe në të Hans Schaffner (1961), i cili ishte më herët funksionar federal.