Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP-PS) tërheq vërejtjen se në rast se do t`i kontestohet vendi i dytë i ministrit në Qeverinë Federale, kjo do të nënkuptonte prishje të konkordancës në Zvicër.
Kjo deklaratë i referohet kërcënimeve që SP-së po i vijnë nga SVP-UDC-ja, e cila ka përmendur edhe mundësinë që, duke kërkuar edhe një vend ministri në qeveri, të sulmojë pikërisht SP-në.
Nëse kjo megjithatë ndodhë, kjo parti, në kuvendin e jashtëzakonshëm që do të mbante më 11 shkurt 2012 do të vendoste nëse do të mbetet në qeveri ose jo.
Ndërkohë SP-PS është deklaruar njëzëri se mbështet kndidaturën e ministres aktuale Eveline Widmer-Schlumpf për tu rizgjedhur në qeverinë e vendit.
Në një rezolutë të bërë në kuvendin e mbajtur të shtunën në Lucern, SP-PS ka theksuar se nga zgjedhjet federale të tetorit ka dalë më e fortë se që ka qenë. Për këtë arsye, sipas saj përfaqësimi me dy ministra në Qeverinë Federale i takon “edhe më shumë se më parë”.