Në një komunikatë të përbashkëtpër medie, sindikata Unia dhe ajo Syna thërrasin anëtarësinë e tyre dhe punëtorët e ndërtimit që të dalin në protestën e cila mbahet të premten, më 25 nëntor 2011.
Sipas komunikatës, kërkesa e punëtorëve të ndërtimtarisë është realizimi i “Kontratës Kombëtare të Punës me më shumë mbrojtje”.
Shkas për protestën e ndërtimtarëve është dështimi i bisedimeve për Kontratën e re Kombëtare të Punës (KKP, shkurtesa në gjermanisht: LMV) për sektorin kryesor të ndërtimtarisë. Këtë dështim, sipas sindikalistëve e ka shkaktuar Shoqata e Mjeshtërve të Ndërtimtarisë (SBV, organizata që përfaqëson punëdhënësit dhe ndërmarrjet ndërtimore) më 2 nëntor 2011.
Kështu, përderisa SBV kërkon vazhdimin e kontratës së vjetër, ajo për Unia dhe Syna është e pamjaftueshme për rrethanat aktuale. Sipas këtyre, në sferën e ndërtimit ka një presion në rritje ndaj punëtorëve. “Vetëm në vitin e kaluar numri të punësuarve u zvogëlua për 3.5%, ndërsa përfitimi u rrit për 3.1%. Punëtorët druajnë edhe nga dumpingu, shtypja e pagave që shkaktohet nga firmat joserioze të cilat shpërndajnë më tej mandate nën-akorduese me paga shtypëse.
Këto sindikata njoftojnë se më 25 nëntor do të zhvillojnë aksione proteste në Gjenevë, Lozanë, Cyrih dhe Bernë. Më 2 dhjetor do të pasojnë aksionet e protestës edhe në Tiçino.