Me qëllim të promovimit dhe të avancimit të ndërmarrësisë si dhe përforcimit të dialogut publik dhe atij privat, për herë të parë në Kosovë, ka nis të organizohen Ditët e Bizneseve të Vogla.
Organizimi i këtij manifestimi do ta ngre shkallën e vetëdijes së publikut lidhur me atë se çfarë mbështetje janë duke ofruar autoritetet përkatëse, sektori privat si dhe komuniteti i donatorëve në shenjë të përkrahjes së tyre ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM-ve).
Përmes një sërë organizimesh të tilla të mbajtura në nivelin rajonal, do të njihet kontributi i dhënë nga këto ndërmarrje të vogla dhe të mesme për zhvillimin e mëtejmë të konkurrencës.
Ndërkohë, në tërë Kosovën, të rinjtë do ta kenë rastin që të marrin pjesë në një konkurs i cili do të zgjasë dy muaj, lidhur me idetë për biznes si mjeti më i mirë për promovimin e mëtejmë të aspektit të ndërmarrësish, si një alternativë për zhvillimin e karrierës.
Duke filluar nga 29 nëntori e deri më 2 dhjetor, po ashtu do të mbahet edhe një panair i vogël, ku do të vendoset një bashkëveprim i fuqishëm në mes të institucioneve, shoqatave të biznesit, donatorëve si dhe agjencive të tjera që ofrojnë mbështetjen e tyre për zhvillimin e sektorit privat.
Ushtruesi i detyrës së Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sinno ka theksuar se “ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme janë si një lokomotivë për zhvillimin ekonomik. Krijimi i kushteve për këto ndërmarrje që të ecin përpara dhe të kenë sukses si dhe promovimi i ndërmarrësisë si alternativë për zhvillimin e karrierës, janë mënyra të shkëlqyeshme për stimulimin e zhvillimit ekonomik në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës Ndërlidhëse të KE-së.
Kurse, Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, theksoi se këtë ministri është caktuar si prioritet ofrimi i mbështetjes maksimale për aktivitetet e organizuara në funksion të promovimit të ndërmarrësisë, dhe pikërisht ky është qëllimi i organizimit të këtyre Ditëve të Bizneseve të Vogla.
Granit Berisha, kryeshef i Agjencisë për mbështetjen e NVM-ve, deklaroi se kjo agjenci synon të arrijë një ndër qëllimet themelore e që është koordinimi i interesave të sektorit privat me atë publik.