Ekipi hetues për trafikim organesh, që po udhëhiqet nga Clint Williamson ka deklaruar se deri më tani ka marrë vetëm mbështetje politike nga institucionet në Prishtinë, Beograd dhe Tiranë.
Zëdhënësi i këtij ekipi në Bruksel, Juri Laas, i ka thënë Radio Kosovës se tani ekipi që po heton akuzat e raportit të Dick Martyt pret të sigurojë informacione nga një numër burimesh institucionale.
Për më pak se tre muaj që kur çështja e hetimit të akuzave të Dick Martyt është lënë në duart e një ekipi special nën ombrellën e misionit të BE-së, ky ekip sipas zyrtarëve të tij në Bruksel ka realizuar disa çështje esenciale, që kanë të bëjnë me hetimin. Juri Laas, zëdhënësi i ekipit në Bruksel, ka thënë se është më rëndësi që pas mbështetjes politike, ekipi të sigurojë ndihmën institucionale që të përpunoj informacionet e mbledhur.
”Shefi i ekipit Williamson gjatë një vizite që ka bërë së fundi në Kosovë , Serbi dhe Shqipëri, ka marrë zotimin e nivelit të lartë politik se do të ndihmojnë ekipin e hetimeve. Hapi tjetër shumë i rëndësishëm është që Ekipi special hetues të mund të sigurojë informacionet e nevojshme nga segmentet institucionale, në mënyrë që të vazhdohen hetimet”, ka thënë Laas.
Gjithashtu burime brenda ekipit kanë shpjeguar se tashmë është intervistuar një person nga Kosova në cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje. Por, nuk është sqaruar nëse dëshmia e këtij personi mbështet ose mohon dyshimet për trafikim organesh gjatë vitit 1999 nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare.
Në fund të gushtit Bashkimi Evropian në kuadër të misionit për sundim të ligjit ka emëruar amerikanin Clint Williamson në krye të ekipit që do të hetojë akuzat e ish senatorit të Këshillit të Evropës, Dick Martyt.
Williamson gjatë vitit 2005- 2007 ka qenë shef i Departamentit të Drejtësisë së misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Albinfo.ch/Telegrafi.