Euro po këmbehet në tregun vendës me rreth 134.5 lekë, njësoj si në dhjetor 2016, kur ajo zbriti në bursa në 1.05 USD, raporton Monitor, përcjell albinfo.ch.
Grafiku “Kursi i këmbimit lek-euro dhe euro-USD në bursa” tregon qartë se në prill-maj të këtij viti kursi në vend ka ecur në të kundërtën e bursës ndërkombëtare, çka tregon se janë faktorët e brendshëm ata që e përcaktojnë forcimin e lekut dhe rënien e euros.
Aktorët e tregut pohojnë se mbioferta në valutë dhe kërkesa e ulët për të ka sjellë që euro të zhvlerësohet përkundrejt monedhës vendëse, ku në të njëjtën datë një vit më parë euro këmbehej 3.6 lekë më shumë.
Ekspertët e tregut thonë se në treg nuk ka kërkesë për valutën, ndërsa oferta në lek mbetet e ulët për shkak të rënies së investimeve dhe shpenzimeve të ulëta buxhetore. Për 4 mujorin buxheti rezultoi me një suficit prej 11 miliardë lekësh, nga 1.4 miliardë lekë që ishte plani, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.