Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka dekretuar 25 qershorin datën e zgjedhje parlamentare në vend. Ky dekretim nga presidenti pason marrëveshjen ndërmjet kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe liderit opozitar, Lulzim Basha, të cilët i dhanë fund ngërçit politik disamujor në Shqipëri.
“Në respekt të Kushtetutës dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor, si dhe bazuar në kërkesën e krerëve të mazhorancës dhe të opozitës për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare…Presidenti i Republikës vendosi të datën e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, më 25 qershor 2017”, thuhet në vendimin e Nishanit.
Theksojmë se kjo datë i përket ditës së diel të fundit të periudhës zgjedhore të parashikuar në Kodin Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka vendosur të dekretojë të njëjtën datë, 25 qershor 2017, edhe për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të pjesshme për kryetar të Bashkisë së Kavajës.