Kosova dhe shtetet e rajonit në vitin 2012 do të përballen me një klimë të rëndë ekonomike si pasojë e ndikimit të krizës ekonomike në Europë.
Kështu tha menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters në një deklaratë para studetëve në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).
Ai vlerësoi se energjetika në vend është në gjendje jo të mirë e cila mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas tij ekspertët e Bankës Botërore kanë bërë matjet për këtë fushë dhe ata po presin rezultatet se si duhet të zhvillohet sektori i energjisë elektrike në Kosovë,njofton Kosovapress.com.
Ai përsëriti se Kosovës i duhen reforma më të thella në shumë fusha. Ai potencoi se sektori që mund të zhvillojë Kosovën është ai i prodhimtarisë dhe se krahas rrugëve Kosova duhet të ketë prodhim për të mbuluar kostot e shpenzimeve për to.
Kosova aktualisht e ka gjendjen më të keqe në rajon sa i përket papunësisë dhe kjo shtron nevojën për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që të tërhiqen investimet nga jashtë, ka thënë Olters.