Parlamenti i Kantonit Thurgau ka miratuar me shumicë votash ndryshimin e ligjit mbi shkollën, i cili parasheh heqjen e gjuhës frënge nga programi shkollor i fillores. Një paragraf i ri i këtij ligji thotë se “frengjishtja do të mësohet vetëm duke filluar nga shkalla sekondare I”, (klasa e shtatë) shkruan sda.ch
Pas një debati emocional që ka zgjatur dy orë, me 68 vota pro dhe me 53 kundër, Parlamenti ka votuar për ndryshimin e ligjit të përmendur.
Pas kësaj, deputetët në parlament kanë vazhduar me debatin në leximin e parë për ndryshimin e ligjit.
Prej 24 vitesh në Thurgau gjuha frënge mësohet duke filluar nga klasa e pestë. Pasi që suksesi ka qenë dëshpërues, politikanët duan ta heqin, gjegjësisht ta shtyjnë mësimin e frëngjishtes për shkallën sekondare I, transmeton albinfo.ch Sipas tyre mësimi i gjuhës frënge nga kjo moshë paraqet ngarkesë për nxënësit, të cilët e mësojnë anglishten nga klasa e tretë.
Për heqjen përfundimtare të gjuhës frënge ka ende barriera që duhen kaluar. Një lexim i dytë në parlament dhe pastaj një referendum i të gjitha autoriteteve shtetërore, nëse do të votohet nga shumica, i jep fund kësaj çështjeje të ndjeshme.