Boksieri shqiptar nga Juniku, me qëndrim në Gjermani, Haxhi (Robin) Krasniqi ka fituar në mbrëmjen e të premtes meçin kundër francezit me prejardhje arabe Abdelhakim Derghal duke merituar kështu titullin e kampionit Evropian në versionin WBO.
Meçi i zhvilluar në Brandenburg-Halle të Frankfurt am Oder nga fillimi është karakterizuar me epërsinë e Krasniqit, i cili diktonte tempin. Në rundin e tretë boksieri shqiptar e rrëzoi për tokë, kundërshtarin, të cilit gjyqtari në ring u desh t`i numërojë.
Por ndonëse goditjet e Krasniqit vazhduan, nokauti klasik nuk ndodhi, shkruan boxing.de.
Në rundin e katërt u shpeshtuan goditjet e boksierit shqiptar mbi francezin. Derghal u rrëzua edhe një herë.
Gjyqtari sërish i numëroi, dhe pastaj e ndërpreu meçin i cili po bëhej shumë i pabarabartë.
Me këtë, Haxhi (Robin) Krasniqi fitoi në mënyrë të qartë luftën dhe titullin e kampionit evropian në versionin WBO, përmes nokautit teknik.