Në Programin Nacional për Migracion dhe Shëndetësi nga viti 2002 janë përfshirë oferta të rëndësishme për të stimuluar kujdesin për shëndet të popullsisë me prejardhje të huaj, thuhet në një komunikatë të BAG të publikuar sot.
Ndër shembujt që përmenden në këtë drejtim, është projekti i platformës së internetit migesplus.ch që është realizuar në bashkëveprim me Kryqin e Kuq të Zvicrës. Kjo platformë ofron informacione të ndryshme shëndetësore në një numër të madh gjuhësh.
Spitalet që bëjnë pjesë në rrjetin “Swiss Hospitals for Equity” e kanë përmirësuar përkujdesjen e grupeve specifike të popullatës përmes ofertave për kualifikim të mëtejmë, trajnimeve, projekteve hulumtuese dhe materialeve të ndryshme shumëgjuhëshe. Veç kësaj, BAG së bashku me Asylorganisation Zürich ka lancuar një shërbim nacional të përkthimit (interpretimit) telefonik, i cili funksionon 24 orë në ditë dhe është në dispozicion në një numër të konsiderueshëm gjuhësh.
Me qendrën profesionale INTERPRET është stabilizuar një sistem për kualifikimin e interpretuesve ndërkulturorë. Masat kryesore të programit do të integrohen në kuadrin e detyrave të Zyrës Federale për Shëndetësi (BAG) dhe në strategjitë e organeve federale. Ato do të zhvillohen në mënyrë që edhe shtresat jo të privilegjuara të popullatës të fitojnë një qasje më të mirë në sistemin shëndetësor. Të kuptuarit e mirë në mes të personelit mjekësor dhe pacientëve mund të reduktojë përkujdesjen e gabuar dhe koston që del nga ajo. Këto masa janë pjesë e strategjisë së politikës shëndetësore të Këshillit Federal me emërtimin “Gesundheit2020” (Shëndetësia2020).