Diskutimi ka zgjatur me vite. Më në fund më 29. Shtator 2011, Bundestagu gjerman ka vendosur për ligjin e njohjes së diplomave të huaja. Tashmë pritet vetëm fjala e fundit e Këshillit Federal që ligji të hyjë në fuqi, njofton DW.
Me ligjin e ri vlerësimi i diplomave nga jashtë do të bëhet brenda tre muajsh, pavarësisht në cilin vend të botës janë lëshuar ato. Për vlerësimin e diplomave do të ketë një qendër për të gjithë Gjermaninë, dhe jo më dikastere të ndryshme nëpër ministri të ndryshme.
Sipas Ilona Riesen, referente për politikën e punës dhe arsimit në Institutin Gjerman të Ekonomisë, tashmë me ligjin e ri shfaqen shpresat që kjo urë e re të ngrihet për emigrantët e rinj që nuk kanë shumë kohë në Gjermani.
Ligji i ri është një jo vetëm një trajtim i drejtë i të huajve, por edhe një nevojë urgjente e kohës në Gjermani. “Ky ligj ka një rëndësi të veçantë si nga pikëpamje ekonomike ashtu edhe ajo shoqërore. Ata që preken drejpërdrejt nga ky rregull i ri janë rreth 300.000 vetë“, mendon Ilona Riesen. Do të ishte e padrejtë të injoroje diplomat e kësaj pjese të popullsisë, thotë ajo.