Siç raporton Top-Channel në Tiranë, Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, e cila forcon ndjeshëm rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Aktualisht ligji i detyron bankat të raportojnë vetëm transfertat në hyrje nga vendet e rrezikuara.
Por me rregulloren e re ato do të raportojnë edhe transfertat që nisen nga Shqipëria drejt parajsave fiskale, përmes të cilave grupe kriminale apo individë që kanë të ardhura të jashtëligjshme mund të tentojnë pastrimin e tyre.
Por ky nuk është ndryshimi i vetëm. Një tjetër kërkesë shtesë është ajo për monitorimin e klientëve. Aktualisht bankat e verifikojnë një klient vetëm në momentin e parë, kur ai paraqitet për të kryer veprimin e parë në bankë.
Nëse nga verifikimi paraprak klienti nuk rezulton i dyshimtë, atëherë ai klasifikohet pa risk dhe nuk kontrollohet më në transaksionet që kryen më pas.
Por me rregulloren e re bankat do të kenë detyrimin të monitorojnë në vazhdimësi veprimet dhe transaksionet e një klienti, edhe pse në momentin e parë ai është klasifikuar si pa risk.
Në mesin e vitit 2015, Shqipëria doli nga lista e vendeve nën vëzhgim për pastrim parash. Por shumë shpejt, Moneyval, komiteti i ekspertëve që vlerëson masat kundër pastrimit të parave për llogari të Këshillit të Europës pritet të japë një vlerësim të ri.