Afati për vjetërsimin e lëndëve të krimeve ekonomike, duhet të zgjatet nga shtatë në dhjetë vjet. Këtë e ka kërkuar Qeveria Federale, për t`u krijuar gjykatave hapësirë më të madhe kohore për ndjekjen penale të krimeve të rënda ekonomike.
Është fjala për veprat penale të natyrës ekonomike për të cilat parashihet dënim mbi tre vjet heqje lirie.
Dy mocione për zgjatjen e këtij afati i kishin ushtruar në Parlamentin e Zvicrës deputetë nga Partia Socialdemokrate, bën të ditur drs.ch.
Shkas për këtë kanë qenë aferat e njohura të mashtrimit si “Swissair”, “Oil for Food” etj.
Dihet se pas falimentimit të kompanisë ajrore të Zvicrës “Swissair” në vitin 2001, gjykatat ishin të shtrënguara të jepnin gjykimet e tyre të plotfuqishme brenda shtatë viteve, për t`i ikur vjetërsimit të lëndëve, i cili kërcënonte në gjysmën e rasteve të marra për gjykim.