Ministrja e jashtme, njëherësh presidente e vendit, Micheline Calmy-Rey ka qenë përfaqësuesja e parë e Qeverisë Federale që ka mundur të marrë pjesë në një dëgjim të një komisioni të Parlamentit Evropian në Bruksel.
Kjo pjesëmarrje dhe vizita e saj në Bruksel do të jetë po ashtu e fundit për znj. Rey, në cilësinë e ministres dhe shefes së shtetit, pasi që ajo në dhjetor të këtij viti do të lirojë të dy postet e saj.
Në dëgjimin në Bruksel Micheline Calmy-Rey ka kundërshtuar pretendimet e disa deputetëve se Zvicra është duke administruar shuma miliardëshe parash të bishtnuesve grekë të tatimeve.
Ajo po ashtu ka folur për marrëveshjen Zvicër-Gjermani për tatimet si dhe ka mbrojtur pozicionin e Zvicrës në rastin e ngrirjes së pasurive të ish pushtetarëve të Afrikës së veriut etj.
Presidentja dhe ministrja ka thënë se me rastin e bllokimit të këtyre pasurive, Zvicra ka kryer një punë prej pionieri në krahasim me vendet tjera.