Qendra e Paraburgimit në Gjilan është promovuar një vit më parë si projekt modern i korrektimit, por nuk është funksionalizuar për shkak të mungesës së ujit të pijes. Ministria e Administratës Publike thonë se nuk kanë asnjë informacion pse kjo qendër që ka kushtuar rreth 5 milionë euro, nuk është funksionalizuar.
Por, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, thotë se furnizimi me ujë të pijshëm ishte arsyeja e mosshfrytëzimit të kësaj qendre. Ai thotë se shumë shpejt në këtë qendër të paraburgimit do të transferohen të paraburgosurit e tjerë nga qendrat tjera korrektuese të Kosovës, citon KTV.
Në këtë qendër të paraburgimit, përveç të paraburgosurve, pritet të vendosen edhe të dënuarit për kryerje të veprave të ndryshme penale. Ndërsa sipas një vlerësimi që kanë dhënë monitoruesit e Këshillit për Mbrojtjes e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, qendra aktuale e paraburgimit në Gjilan duhet të mbyllet sepse nuk i plotëson kushtet elementare për të qenë qendër korrektimi.